Njihuni me beben më të vockël në botë

Kur lindi, e gjithë këmba  e saj ishte sa një gisht dhe nuk peshonte më shumë se 226 gramë. Nëntë muaj më vonë, bebja më e vogël në botë, Emilia Grabarczyk, ka kaluar të gjitha pritshmëritë e mjekëve.

E lindur në qytetin Witten, në Gjermaninë Perëndimore, ajo ishte vetëm 22 cm e gjatë dhe peshonte më pak se 230 g. Mjekët mendonin se ajo nuk do të arrinte të mbijetonte, por fatmirësisht, “luftarakja e vogël” arriti t’ia dalë dhe tani është në gjendje shumë të mirë shëndetësore.

Ajo tani peshon 3.2 kg, një peshë normale për një të sapolindur. Mediat lokale thonë se ajo është bebja më e dobët në botë që ka arritur të mbijetojë. Ky titull është mbajtur më parë nga Rumaisa Rahman, e cila është lindur në Qendrën Mjekësore Universitare Loyola, në Çikago, kur nëna  e saj ishte në javën e 25-të të shtatzënisë. Kur lindi ajo ishte 20 cm e gjatë dhe peshonte 240 g.

emilia-grabarczyk1

Mjekët që kanë asistuar në lindjen e Emilias thonë se vetëm një mrekulli ka arritur ta mbajë në jetë vogëlushen.

“Edhe fëmijët që peshojnë 400 g rrallë mbijetojnë”, thotë dr. Bahman Gharavi, drejtor i klinikës për fëmijë dhe të rinj tek spitali St Mary në Gjermani. Duhet të falënderojmë edhe Emilian që arriti të shpëtojë. Ajo është një luftarake e vogël”.

“Për më shumë se gjashtë muaj nuk ishim të sigurt nëse do të mbijetojë. Gjendja e saj filloi të përmirësohej vetëm këto javët e fundit”, tregon ai.

Në fillim të javës së 26-të të shtatzënisë, prof. dr. Sven Schiermeier vendosi bashkë me prindërit të lindnin beben me metodën me prerje cezariane. Përndryshe Emilia do të kishte vdekur në mitër, pasi kishte një problem me placentën dhe nuk mund të merrte lëndët e nevojshme ushqyese për të mbijetuar.

Zakonisht një fetus në javën e 26-të të shtatzënisë peshon rreth 600 g, por problemi me placentën bëri që Emilia të ishte nënpeshë.

Fatmirësisht vajza nuk ka asnjë shenjë të aftësive të kufizuara.

Burimi: Daily Mail